Saturday, April 26, 2008

Divorci, "revolucioni" i fundit indian!

Shkaqet që i çojnë gratë indu të kërkojnë prishjen e martesave. Nga ajo që shihet, Heena duket se ka gjithçka që një femër indiane do të donte të kishte: një karrierë të shkëlqyer, një martesë dhe dy fëmijë.

Por ajo çfarë do të donte të fshihte nga sytë e njerëzve, ishte një burrë i alkoolizuar, që abuzonte shpesh me të dhe fëmijët. Për Heena-n, një dizajnuese ambienteve të brendshme, që jeton në Delhi, koha për të "hequr qafe" burrin erdhi atëherë kur ai nisi të ishte i dhunshëm me fëmijët. "Mund të vazhdosh për aq kohë sa ke shpresë... por ditën që ai vuri dorë mbi fëmijët e mi ishte edhe dita që i thashë ‘mjaft‘", shpjegon Heena. Me një karrierë të shkëlqyer dhe sigurisht pavarësi ekonomike, ajo tani jeton në katin e parë të shtëpisë së prindërve, duke pasur edhe detyrën e vështirë për të rinisur jetën e saj nga e para, pas 11 vjet martesë. Por, eksperienca e saj nuk është e vetmja. Shoqëria indiane është një shoqëri ku martesa ka pasur gjithmonë rëndësi të madhe, e ku ceremonitë e martesave tradicionalisht janë konsideruar si të shenjta. E në të vërtetë, në gjuhën hindi nuk ekzistonte asnjë fjalë për divorcin (fjala që përdoret zakonisht është talak, e marrë hua nga gjuha urdu). Por, me ndryshimet e shpejta ekonomike dhe sociale në shoqërinë indiane, një numër gjithmonë e më i madh grash po vendosin të heqin dorë nga martesat e palumtura apo abuzive, duke nisur jetën e tyre sërish.

Me një pavarësi financiare, për shkak të rritjes së ekonomisë me ritme të shpejta dhe autorizimin për futjen e grave në punë, gratë e reja po marrin vendimin që mamatë apo të afërmit e tyre do ta kishin parë vetëm në ëndërr. "Një pjesë e këtij vendimi lidhet ngushtë me pavarësinë ekonomike. Megjithatë, një element i rëndësishëm është se brezi i prindërve të mi ka ndryshuar mënyrën e të menduarit rreth asaj që po ndodh. Mamaja ime nuk do ta kishte pasur kurrë mbështetjen financiare apo emocionale që kam unë. Në brezin e saj, të divorcoheshe apo të largoheshe nga shtëpia e bashkëshortit konsiderohej diçka e turpshme", tregon Heena, 42 vjeç, me 2 fëmijë në moshën e adoleshencës. Ndërkohë që statistikat zyrtare nuk janë të disponueshme, studimet në disa nga qytetet më të mëdha të vendit tregojnë se një numër i madh çiftesh kanë nisur procedurat e divorcit nëpër gjykatat civile. "Një studim i kohëve të fundit tregoi se raste të tilla po pësojnë një rritje domethënëse, sidomos në qytetet e vogla apo në zonat e vogla urbane. Shumë çifte të reja, veçanërisht gratë, kanë mbushur peticione për ndarje, për të cilat nuk kishin dëgjuar deri më 1970-ën", pati treguar për gazetën "The Tribune" një avokat në Gjykatën e Lartë. Në Kerala, vendi më analfabet i Indisë, numri i këtyre peticioneve është rritur thuajse me 350 për qind në dhjetë vitet e fundit. Madje edhe në Punjab dhe Haryana, dy vende që merren kryesisht me bujqësi, procedurat për të marrë divorcin po rriten ndjeshëm.

Po ashtu, sipas disa vlerësimeve, divorcet në shkallë kombëtare arrijnë në shifrat 6-7 për qind. "Gratë janë më të pavarura ekonomikisht. Ato kanë nisur të punojnë dhe të jenë më të informuara për të drejtat e tyre", thotë Vandana Sharma, presidente e Ligës për Mbrojtjen e Grave, me qendër në Delhi, që ofron konsulencë dhe asistencë të vazhdueshme. Më tej, ajo shton: "Familjet po ndryshojnë, edhe pse dëshira jonë është të kemi familje të bashkuara, të cilat të jetojnë së bashku dhe të ndajnë problemet mes tyre". Meqenëse martesa ka qenë shumë e rëndësishme në Indi, gratë asnjëherë nuk kanë qenë të barabarta me burrat. Historikisht, paratë janë paguar nga familja e nuses tek ajo e dhëndrit për marrëveshjet martesore, sot e kthyer në një betejë të vërtetë për familjet e varfra. Kjo është edhe arsyeja që aborti i fetusit femër është bërë diçka e zakonshme. Edhe pse pagesa që nusja çon te dhëndri u ndalua në vitin 1961 dhe ekot për të parë seksin e fëmijës në vitin 1996, asnjë prej tyre nuk zbatohet.

Në të njëjtën kohë, në vende të ndryshme të Indisë ka një diferencë të madhe mes gjinive, si rezultat i preferencave për djem në vend të vajzave. Në vitin 1981, një raport për fëmijët nga zero në gjashtë vjeç tregoi se ishin 962 vajza për 1000 djem, ndërsa 20 vjet më vonë raporti tregoi se numri kishte arritur në 927 vajza për 1000 djem. Kështu, ndërkohë që veprimi ilegal, por fitimprurës i abortit, bazuar në gjininë e fetusit ngelet shumë i zakonshëm, efektet e këtyre veprimeve po i shtyjnë burrat në disa vende të pasura të Indisë për t‘i marrë gratë nga shtetet e varfra. Edhe për gratë e shtresës së mesme indiane, në dy dekadat e fundit janë vënë re ndryshime për sa u përket mundësive të lidhura me to. Ndërkohë që martesat me shkuesi përbëjnë akoma më shumë se 90 për qind të zgjedhjes së të rinjve, shpërndarja e televizioneve kabllore dhe influenca perëndimore ka bërë që gratë të kenë më shumë pretendime për burrat e tyre dhe atyre që do të zgjedhin për të kaluar jetën. Ndryshe nga ato, burrat indianë kanë qenë shumë të ngadaltë në ndryshime dhe shpesh kanë reaguar negativisht ndaj mundësive të reja që po u jepen grave. "Gratë e kanë nisur jetën me pak pretendime, ndërsa tani ato janë më të angazhuara fizikisht, seksualisht dhe financiarisht", tregon drejtoresha e qendrës për kërkimet sociale dhe mbështetjen ndaj femrave me qendër në Dehli.

Të gjithë kanë pritur që rritja e numrit të divorceve të ishte një fenomen i lidhur me elitën e shkolluar të Delhit apo Mumbait, kjo gjë duket se po ndodh në të gjithë Indinë, edhe pse ngelet më i përhapur në zonat urbane të vendit. Vivek Pahwa, drejtoresha e "secondshaadi.com", një faqe interneti për të organizuar takime mes burrave dhe grave të divorcuar, që u hap vetëm një vit më parë, tregon se 60 për qind e 25000 ose më shumë njerëzve që janë regjistruar aty nuk jeton në pesë qytetet më të mëdha të Indisë. "Të martohesh përsëri në Indi ka qenë një argument që më mirë mos të preket", shkruhet në uebsajtin e tij. "Me kalimin e viteve shoqëria po i shikon me sy ndryshe burrat dhe gratë e divorcuara në Indi. "Secondshaadi.com" është ndihma e duhur për të gjithë ata që duan të nisin një jetë të re". Edhe pse numri i divorceve po rritet, disa ekspertë paralajmërojnë se të heqësh dorë nga lidhjet pa lumturi ngelet një sfidë dhe për momentin është e prekshme vetëm për gratë e pasura indiane. "Martesa është akoma qendra e gjithçkaje. Gratë si pjesëtare të shoqërisë shikohen nga statusi i tyre. Nëse një grua është vetëm, është shumë e vështirë, edhe nëse ajo vjen nga një familje e pasur.

Të prishësh një martesë nuk do të thotë se ke zgjidhur të gjitha problemet", shton një pedagoge në Kerala. Anajana Debi e di fare mirë se sa telashe dhe probleme e presin, por ajo ka vendosur përfundimisht të ndahet. Me origjinë nga Kalkuta, që kur është martuar ka jetuar në Delhi. Por kur bashkëshorti e braktisi për të shtatën herë, edhe pse nënë e katër fëmijëve, ajo vendosi të ndahej. "Është njëlloj si kanceri. E kam vendosur dhe nuk dua të kthehem më me të. Nuk mundem më", tha ajo. Sot zonja Debi është 37 vjeçe, por ishte vetëm 14 kur familja e saj e martoi me shkuesi me një burrë 20 vjet më të madh se vetja. Ajo tregon se në vitet e para të martesës ka qenë shumë e lumtur, më vonë bashkëshorti nisi të kishte një lidhje me një tjetër grua. Sa herë që ai kthehej i dukej sikur nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta falte. Por kësaj radhe jo. Ajo thotë se është gati ta kalojë pjesën tjetër të jetës si e divorcuar dhe të përballet edhe me sfidat që kjo gjë do t‘i sjellë. Megjithatë, ajo nuk ndihet gati t‘u tregojë prindërve atë se çka ndodhur. "Vëllezërit e mi e dinë, ndërsa prindërit jo. Kam frikë nga mënyra se si do të reagojnë, kam frikë mos pësojnë ndonjë traumë".

No comments: