Saturday, April 26, 2008

Me "NATO"-n pertej demokracise?

Duke qenë se Berisha ka qenë vazhdimisht në kokë të politikës në këta 18 vjet nuk mund të mos pyesësh: Çfarë ka ndodhur befas në kokën e politikës, pra edhe në kokën e Berishës, duke e shndërruar atë brenda katër muajsh dhe si me magji, nga të papërgjegjshme në të përgjegjshme? Përgjigjja e Kryeministrit është e hatashme: Ka ndodhur vetëdijësimi nga marrja e ftesës për në NATO! "Dy vjet më parë masnim me lupë çdo germë....Por ndodhi diçka shumë e thellë, shumë e madhe e cila u bë një imperativ për një ndryshim madhor, rrënjësor të kulturës politike të këtij vendi", tha Berisha. Gati sa nuk deklaron që paska qenë faji i NATO-s që nuk e ka lëshuar këtë ftesë 18 vite më parë, duke i shpëtuar shqiptarët nga një tranzicion traumatik plot viktima, privacione e varfëri. Deri para pak ditësh, propaganda berishiste këmbëngulte se marrja e ftesës për në NATO do të qe fryt i emancipimit dhe arritjeve të politikës ndërsa sot, Berisha ju tregon shqiptarëve krejt të kundërtën, që emancipimi i politikës është fryt i marrjes së ftesës.

***
Po përse shfaqet Berisha kaq i kënaqur me politikën shqiptare, pra në një farë mënyre edhe me vetveten si një nga simbolet e kësaj politike? Sepse më në fund kjo politikë, ose më saktë shumica e saj e bashkuar PS-PD i dhanë Berishës atë që ai ka kërkuar përherë, edhe më shumë pushtet të pakontrollueshëm, "për të shmangur krizat" që pjell...demokracia? Prandaj autoritaristi i pandreqshëm Berisha ngazëllente dhe lëshonte ditirambe si këto: "Procesi është nga më të përgjegjëshmit se merret në mënyrë të vetvetishme dhe ka nisur 4-5 muaj që kur në horizont u dukën qartë rrezet e marrjes së ftesës". Më tej: "Asnjë nga ne nuk mund të harrojë proceset e mundimshme në të cilat kaloi Shqipëria gjatë viteve.

Nuk mund të harroj faktin që kalohej nga kriza në krizë, nga ndjellkriza në ndjellkrizë". Nuk mund të mos pyesësh: Po a nuk ishte ky kryeautor dhe kryebashkautor i krizave dhe ndjellakrizave? A nuk qenë kërcënimet drejtuar kundërshtarëve politikë të llojit "Do ua ngrijmë buzëqeshjen!" shprehja më e qartë e ndjellakrizave? Berisha dinakërisht flet dhe nënkupton një faj të gjithë klasës politike, sikur të mos ishte ai një nga kryefajtorët për këto "procese të mundimshme". Kjo është provë se pasi ka mbjellë dhe ndjellë kriza për 18 vjet, Berisha po korr sot frytet e tyre në emër të "stabilitetit" dhe "normalitetit". Kjo është edhe një provë se Berisha vazhdon të mbetet i papërgjegjshëm për vuajtjet që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve kulti i tij e pangopur me pushtet, si dhe rrjeti i klaneve që pasurohen nga pushtetet e këtij kulti.

***
Çfarë po bëjmë ne tani? - i shpjegoi Berisha Parlamentit duke dëshmuar se mendonte që deputetët nuk ishin të qartë dhe të përgjegjshëm për atë që po bënin. "Po përpiqemi që ta ketë më të lehtë rrugën ky vend, po përpiqemi të parandalojmë krizat dhe ky vend të jetë një vend normal siç e meriton". Kjo është gjuha tipike e autoritaristëve dhe diktatorëve. Të gjithë diktatorët para se të kapin pushtetin absolut, kanë fajësuar pluralizmin dhe demokracinë për zinxhirin e krizave që kalonte një shtet. Në Itali dhe Gjermani para Luftës II Botërore, liderët fashistë dhe nazistë, kanë shprehur përbuzje për parlamentarizmin liberal dhe kanë bërë thirrje për ta "transhenduar përçarjen e vjetruar në të majtë dhe të djathtë me qëllim bashkimin e vendit". Të gjithë e kanë propaganduar largimin nga jeta demokratike dhe plot kriza, si kthim të vendit në normalitetin e qetë dhe pa debate. Kjo propagandë populisto-nacionaliste, ka qenë maskimi i dëshirës për kontroll total. Dhe një nga mjetet që kanë përdorur fashizmi për ta arritur një gjë të tillë, ka qenë pikërisht rishpërndarja e pushtetit politik duke zgjeruar kompetencat e ekzekutivit.

Amendamentet e miratuara dy ditë më parë kanë bërë pikërisht këtë, kanë fuqizuar ekzekutivin dhe kreun e tij, Berisha. Edhe diktatori komunist, Enver Hoxha, e quante jo normale "të bëhen diskutime për diskutime, klithma e çjerrje në Kuvend për të manifestuar demokracinë së në parlamentet borgjeze". Me ndryshimet në Kushtetutë, Shqipëria ka bërë një hap drejt këtij lloj "normaliteti" autoritarist, duke ju larguar "parlamentarizmit të zhurmshëm borgjez". Tashmë, sikundër thotë Berisha, asnjë shumicë nuk do "të shohë me lupë fjalët" dhe protestat e opozitave. Dhe në fakt, nuk do ketë arsye për një gjë të tillë. Sepse këtej e tutje, nuk do të jetë e detyruar më nga Kushtetuta të arrijë konsensus me opozitën deri edhe për çështje të rëndësishme si ajo e zgjedhjes së Presidentit. Madje dhe opozita vetë, nuk do të jetë e nxitur të tjerrë shumë llafe kundra, sepse e di që në fund të fundit, shumica mund ta zgjedhë Presidentin vetëm me votat e saj. Dhe kështu eliminohen "krizat" parlamentare. Por mos vallë bashkë me to edhe demokracia? Që këtej e tutje nis një "epokë e re" në politikën shqiptare (edhe Enver Hoxha, në fjalimin e tij të parë në Tiranën e çliruar nga nazistët, shpalli "hapjen e një faqeje të re në historinë e Shqipërisë") ku argumentet e pakicës nuk do të kenë më rëndësi, kur ajo mund të lehë sa të dojë, por karvani i pushtetit mund të ecë përpara duke shmangur krizat "e panevojshme".


***
E gjithë ajo që ndodhi dy ditë më parë në Kuvend, ishte një farsë autoritariste dhe tiranike e shumicës së bashkuar PD-PS që nuk do të kalojë pa pasoja. Sipas asaj që u tha dhe u votua, fajin për zinxhirin e krizave në Shqipëri gjatë 18 vjetëve, nuk e kanë pasur etja e shfrenuar për pushtet dhe pasuri e liderëve të tipit Berisha, Nano dhe i klaneve të tyre, nuk e ka pasur skllavërimi i pushtetit të drejtësisë dhe i shumë pushteteve dhe institucioneve të tjera prej ekzekutivit, fajin nuk e kanë pasur ca aktorë të vjetër politikë si Berisha që të verbuar nga etja për sa më shumë pushtet absolut, nuk kishin asnjë vullnet për konsensus, por e ka pasur...Kushtetuta! E ka pasur dokumenti themeltar që nuk e lejonte deri sot Kryeministrin të bënte si të donte, të vetëshkruante dhe vetëvuloste me shumicën e tij. Fajin e ka pasur Kushtetuta që detyronte konsensusin me opozitën, por që tani, pas mendimeve, nuk e detyron më. Tashmë, me amendimet e bëra, Kushtetuta nuk është më e keqe. Sepse nuk e pengon më Berishën të sundojë. "Mrekullitë" që lëshoi Berisha në apologji të këtij kërcimi të vendit drejt autoritarizmit, nuk kanë fund. Po sipas tij, deri pardje fajin e ka pasur sistemi zgjedhor në vetvete dhe jo mungesa e infrastrukturës zgjedhore, certifikatat false, listat e gjymta të zgjedhësve, militarizimi i komisioneve me banditë partiakë zonalë, KQZ e politizuar apo gjykatat e trembura dhe manipuluara. Sipas Berishës (por tani edhe Ramës), me sistemin spanjoll do të ndodhë mrekullia.

Po cili paska qenë faji i "politikës së vjetër" që Rama përflet pa fund nëpër mitingje? Me sa duket që nuk paska zbatuar me kohë "mrekullinë" spanjolle. Por pas kësaj, me miratimin e sistemit spanjoll, politika e vjetër u bë automatikisht e re. Sa e thjeshtë paska qenë! Por edhe kjo agoni e kotë 18-vjeçare ka shpjegimin e vet. E shpjegoi Berisha sipas të cilit, politika shqiptare paska qenë e pavetëdijshme. Duke pranuar fajin që ka ngjyer, bashkë me të tjerët kafshatën e pushtetit te "Dushku", Berisha tha se "mjaft është mjaft". Pyesim përse? Dhe Berisha përgjigjet. "Sepse vjen vetëdija njerëzore dhe politike" duke na dhënë të kuptojmë se deri më sot, nuk para ka qenë i vetëdijshëm. Përsëri pse? Sepse Shqipëria nuk e kishte marrë ende ftesën për në NATO! Marrëzira! Por le të pranojmë për një çast, se ky "ndryshim" i dytë i Berishës vjen nga magjia e ftesës (në fakt të kujton emulacionin socialist) dhe të shpresojmë se ai do të vetëdijësohet po kaq shpejt edhe për nevojën (18 vjet lider në demokraci janë më shumë se mjaft) e largimit të tij nga politika. Por nuk ka shanse që kjo të ndodhë. Berisha po e përdor ftesën e NATO-s si një pretekst për të forcuar pushtetin e tij politik. Por ai nuk do të bëhet kurrë i vetëdijshëm për ato standarde që shkojnë kundër etjes së tij për pushtet dhe që i imponon e njëjta ftesë. Një standard i tillë është rotacioni i liderëve dhe i pushteteve. Sipas standardeve të NATO-s, vendi duhet ta ketë shndërruar në traditë rotacionin e plotë politik dhe paqësor të pushteteve.

***
Në Shqipëri, deri më sot, vetëm PS e ka lëshuar paqësisht pushtetin. PD dhe Berisha nuk kanë arritur ta provojnë këtë. Në fuqi mbetet thënia proverbiale e Namik Vehbi Fadile Hotit se Berisha, nuk zbret kollaj "nga kali". A do ta bënte Berisha një "sakrificë" të tillë në 2009-ën, i vetëdijësuar për nevojën e plotësimit të këtij standardi nga Atdheu? Në përgjigje Berisha fshihet pas "demokracisë" pra, të atij sistemi pa parti demokratike, pa drejtësi dhe institucione të pavarura, pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe që deri më sot, e ka shndërruar në skllav të bindur: Janë shqiptarët ata që do ta vendosin - deklaroi ai në një intervistë të para pak ditëve në BBC. Po përse shumica e shqiptarëve do të jenë të prirur të votojnë përsëri pas 20 vjetësh (dhe kjo nuk ndodh në vendet e NATO-s), një lider që pranon se nuk ka qenë shumë i vetëdijshëm politikisht për 18 vjet rresht? Përse do të votonin një politikan që edhe pas 18 vjet në krye të politikës pohon se është i gatshëm të qëndrojë edhe 30 vjet nëse votohet? Përse do të votonin një ish-presidenti dhe sot Kryeministër, që bart në biografinë e qeverisjeve të tij autoritariste katastrofa të tmerrshme si ato të piramidave dhe Gërdecit? Një votë e tillë nuk do të gjente kurrë shpjegim me demokracinë.

Para së gjithash, në një shtet demokratik normal, një ish-president të cilit ju shkërmoq shteti për faj të vet nuk do të mund të rikthehej kurrë në pushtet. As një Kryeministër me Gërdec. Me të do të kish mbaruar punë drejtësia e pavarur. Nuk mund të kthehej në pushtet as një lider që ka ideuar një grusht shteti. Përveç Sali Berishës, bota njeh vetëm një rast tjetër të ngjitjes në pushtet me votë, të një politikani që ka udhëhequr një grusht shteti. Rastin e Adolf Hitlerit. Por kjo shënoi edhe pushkatimin e demokracisë në Gjermaninë e asaj kohe. Prandaj një votë e tretë për Berishën në vitin 2009, nuk do të qe aspak vepër e demokracisë. Ajo do të ishte produkt i fanatizmit, manipulimit të zgjedhjeve, tulatjes së institucioneve të kapura dhe frikësimit të shumicës së qytetarëve, nga një ekzekutiv autoritarist që ndërsa i dënon me varfëri, i kërcënon me papunësi dhe me bukën e gojës. Dhe pas ndryshimeve në Kushtetutë, pushteti i Berishës i ka mundësitë të jetë edhe më autoritarist se më parë dhe të sjellë atë që po për faj të politikanëve si Berisha, nuk na e solli dot demokracia, "stabilitetin". Kjo është ajo që Berisha quan kthim të Shqipërisë në "normalitet" që na tingëllon si ikje përtej...demokracisë. Dhe meqë shqiptarët dhe politika e tyre shfaqen shumë të lodhur me "demokracinë", le të shpresojmë se është NATO që po na ruan dhe se nuk do të vonojë të thërrasë: "Ndal"!

No comments: