Sunday, April 27, 2008

McCain: Mbeshtes Pavaresine e Kosoves

Në një deklaratë të lëshuar dje në Mynih kandidati republikan për president, John McCain, shprehet hapur si për zgjerimin e NATO-s, si edhe për pavarësinë e Kosovës. “Ka ardhur koha që ta nxjerrim Ballkanin dhe Kosovën së bashku me të nga e kaluara e `90, në drejtim të shekullit të 21, duke e njohur pavarësinë e saj”, - shkruan senatori amerikan, McCain në një deklaratë të lëshuar dje me rastin e Konferencës së Mynihut.
John Mccain

McCain është një nga mysafirët e rregullt të kësaj konference, por këtë radhë nuk erdhi për shkak të garës presidenciale në SHBA. Në deklaratën e tij McCain u shpreh edhe për zgjerimin e NATO-s. “Samiti i Bukureshtit ofron një mundësi të mirë për të ankoruar demokracinë dhe qëndrueshmërinë në vendet fqinje, duke pranuar në Aleancën tonë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë.” Presidenti Tadiç nuk e pranoji atë që e cilësoi shpërbërjen e vendit të tij. Por eventualisht ai tha se ai nuk pranonte izolimin e Serbisë nga BE. I vetmi kurs i arsyeshëm, këmbënguli ai, është rifillimi i bisedimeve. Diplomatët perëndimorë këtu në Mynih thonë se muajt e gjatë të bisedimeve nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Të vetëdijshëm për pozicionin e Rusisë, nuk ekziston ndonjë kohë e mirë për Kosovën që të shpallë pavarësinë. Xhonatan Markus i BBC raporton se një burim i brendshëm i tha se një gjë e tillë mundet shumë mirë të ndodhë herët sesa vonë.

Saturday, April 26, 2008

Per Keeley Hazell Rooney i le te gjitha!

Gjithë forma e kthesa, modelja e re duket se e ka magjepsur sulmuesin e “Mançester Junajted”, Wayne Rooney. Sipas disa burimeve të besuara futbollisti lë kokën pas saj dhe tashmë martesa e tij rrezikon të prishet. Keeley Hazell, e pagëzuar si “Pamela Anderson - e re”, kësaj here ka tërhequr seriozisht vëmendjen e Rooney, duke shkuar madje, edhe bashkë me të. Por Rooney është shumë afër martesës me të fejuarën e tij Coleen McLoughlin. Lajmi i “ecejakeve” të futbollistit me modelen seksi sigurisht që është si një rrufe në qiell të pastër për të fejuarën e tij, pasi edhe në të kaluarën ajo ka vuajtur jo pak.

Rreth një vit e gjysmë më parë, një prostitutë botoi një libër ku rrëfente mbi marrëdhënien e saj me futbollistin e Mançesterit, takimet dhe gjithçka tjetër rreth “lidhjes” së tyre. Të gjitha këto e kishin kompromentuar rëndë lidhjen mes Rooneyt dhe të fejuarës së tij, por ai diti që me kalimin e kohës ta bindë të fejuarën për dashurinë dhe besnikërinë që kishte kundrejt saj.

Natyrisht që Coleen McLoughlin nuk ka për ta kaluar lehtë këtë “bombë” që papritur i vjen tani nëpërmjet revistave të thashethemeve, për më tepër, kur flitet për konkurrencë të tipit “superseksi” si Keeley Hazell.

Sherre për "Miss Universin"

Pjesëmarrja e Kosovës në garën e bukurisë "Miss Universe 2008" që do të mbahet në korrik në Vietnam, ka qenë mollë sherri në mes fotografit Fadil Berisha që jeton në Amerikë dhe Agnesa Vuthajt e cila merret me organizimin e "Miss Kosovës" në Kosovë.



Sherri ka nisur pasi Paula Shugart, presidentja e "Miss Universe", në një takim mebashkatdhetarët shqiptarë në Amerikë, kishte paralajmëruar se Kosova do të mund të merrte pjesë në këtë eveniment bukurie. Nuk kishte vonuar shumë dhe Fadil Berisha kishte thirrur në telefon drejtorin e "Prishtina Film" Blerim Gjoci, duke i thënë se ai duhet të organizonte një spektakël bukurie, ku vajza fituese do të merrte pjesë në "Miss Universe 2008".


"Ajo për çka jam thirr unë është organizimi i këtij spektakli, ndërkaq për atë se kush do të marrë pjesë unë nuk e di, vetëm e di që vajza që fiton në këtë festival që do mbahet më 2 prill, do të jetë pjesëmarrëse në spektaklin "Miss Universe 2008" në Vietnam", ka thënë Blerim Gjoci për "Express".

Gjoci ka shtuar se ai është vetëm organizator, ndërkaq për dërgimin e vajzës në spektakël përgjegjës është Fadil Berisha, pasi ai e ka licencën për përfaqësimin e miss-it kosovar në këtë spektakël. Por, "Miss Kosova 2003", Agnesa Vuthaj, thotë se miss zyrtar i Kosovës është Yllka Berisha.

"Nuk e kuptoj pse duhet organizuar ndonjë miss tjetër kur Kosova e ka miss-in zyrtar të saj e cila e përfaqëson në të gjitha spektaklet ndërkombëtare. Ndërkaq, mendoj që Fadili nuk dëshiron që të dërgojë Yllkën por dikë tjetër", ka thënë Vuthaj. Sipas saj, organizatorët e spektaklit në Neë York, janë të njoftuar për Yllkën dhe që pikërisht ajo mund të konkurrojë. "Në dhjetor kur është mbajtur "Miss Kosova", bashkëpunëtor imi ka qenë edhe Fadili, dhe plani ka qenë që nëse pavarësohet Kosova, fituesja të përfaqësojë atë në "Miss Universe", sepse ai bashkëpunon me organizatorët e spektaklit dhe ai ka mundësi të nxjerrë licencë për ta dërguar vajzën atje". Por, si duket Fadil Berisha e ka prishur këtë marrëveshje.

Burime brenda spektaklit thonë se e tërë kjo luftë e Fadil Berishës është që në këtë garë të dërgojë vajzën e kompozitorit Naim Krasniqi, Zana Krasniqin e cila dy vjet më parë ka përfaqësuar Shqipërinë në "Top Model of the World".

Pyetja është: kush është i autorizuar që në Kosovë të organizojë një spektakël zyrtar të bukurisë, kur flitet se Vuthaj, gjithashtu përfaqësuese e Shqipërisë në një edicion të mëparshëm të "Miss Universe", nuk ka licencë për organizimin e zgjedhjes së miss-it zyrtar të Kosovës, - edhe pse ajo pretendon të kundërtën.

Vietnami nuk pranon "Miss Kosovën" në garë

Janë katër shtete që kundërshtojnë pjesëmarrjen e Kosovës në garën e bukurisë. Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Vietnami vendi organizator janë shprehur kundër nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në garë. Përfaqësuesja e Kroacisë, Snezhana Lonçaroviç ka kërcënuar me largim nga gara nëse Kosova merr pjesë në spektakël, ndërsa Vietnami ka paralajmëruar presidenten e kësaj organizate se nuk do ta lejojë bukuroshen kosovare që të marrë pjesë. "Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Vietnamin kështu që qeveria e këtij shteti nuk do të lejojë pjesëmarrjen Kosovës në këtë garë",- thuhet në një komunikatë të organizatorëve të "Miss Universe"-it në Vietnam.

Divorci, "revolucioni" i fundit indian!

Shkaqet që i çojnë gratë indu të kërkojnë prishjen e martesave. Nga ajo që shihet, Heena duket se ka gjithçka që një femër indiane do të donte të kishte: një karrierë të shkëlqyer, një martesë dhe dy fëmijë.

Por ajo çfarë do të donte të fshihte nga sytë e njerëzve, ishte një burrë i alkoolizuar, që abuzonte shpesh me të dhe fëmijët. Për Heena-n, një dizajnuese ambienteve të brendshme, që jeton në Delhi, koha për të "hequr qafe" burrin erdhi atëherë kur ai nisi të ishte i dhunshëm me fëmijët. "Mund të vazhdosh për aq kohë sa ke shpresë... por ditën që ai vuri dorë mbi fëmijët e mi ishte edhe dita që i thashë ‘mjaft‘", shpjegon Heena. Me një karrierë të shkëlqyer dhe sigurisht pavarësi ekonomike, ajo tani jeton në katin e parë të shtëpisë së prindërve, duke pasur edhe detyrën e vështirë për të rinisur jetën e saj nga e para, pas 11 vjet martesë. Por, eksperienca e saj nuk është e vetmja. Shoqëria indiane është një shoqëri ku martesa ka pasur gjithmonë rëndësi të madhe, e ku ceremonitë e martesave tradicionalisht janë konsideruar si të shenjta. E në të vërtetë, në gjuhën hindi nuk ekzistonte asnjë fjalë për divorcin (fjala që përdoret zakonisht është talak, e marrë hua nga gjuha urdu). Por, me ndryshimet e shpejta ekonomike dhe sociale në shoqërinë indiane, një numër gjithmonë e më i madh grash po vendosin të heqin dorë nga martesat e palumtura apo abuzive, duke nisur jetën e tyre sërish.

Me një pavarësi financiare, për shkak të rritjes së ekonomisë me ritme të shpejta dhe autorizimin për futjen e grave në punë, gratë e reja po marrin vendimin që mamatë apo të afërmit e tyre do ta kishin parë vetëm në ëndërr. "Një pjesë e këtij vendimi lidhet ngushtë me pavarësinë ekonomike. Megjithatë, një element i rëndësishëm është se brezi i prindërve të mi ka ndryshuar mënyrën e të menduarit rreth asaj që po ndodh. Mamaja ime nuk do ta kishte pasur kurrë mbështetjen financiare apo emocionale që kam unë. Në brezin e saj, të divorcoheshe apo të largoheshe nga shtëpia e bashkëshortit konsiderohej diçka e turpshme", tregon Heena, 42 vjeç, me 2 fëmijë në moshën e adoleshencës. Ndërkohë që statistikat zyrtare nuk janë të disponueshme, studimet në disa nga qytetet më të mëdha të vendit tregojnë se një numër i madh çiftesh kanë nisur procedurat e divorcit nëpër gjykatat civile. "Një studim i kohëve të fundit tregoi se raste të tilla po pësojnë një rritje domethënëse, sidomos në qytetet e vogla apo në zonat e vogla urbane. Shumë çifte të reja, veçanërisht gratë, kanë mbushur peticione për ndarje, për të cilat nuk kishin dëgjuar deri më 1970-ën", pati treguar për gazetën "The Tribune" një avokat në Gjykatën e Lartë. Në Kerala, vendi më analfabet i Indisë, numri i këtyre peticioneve është rritur thuajse me 350 për qind në dhjetë vitet e fundit. Madje edhe në Punjab dhe Haryana, dy vende që merren kryesisht me bujqësi, procedurat për të marrë divorcin po rriten ndjeshëm.

Po ashtu, sipas disa vlerësimeve, divorcet në shkallë kombëtare arrijnë në shifrat 6-7 për qind. "Gratë janë më të pavarura ekonomikisht. Ato kanë nisur të punojnë dhe të jenë më të informuara për të drejtat e tyre", thotë Vandana Sharma, presidente e Ligës për Mbrojtjen e Grave, me qendër në Delhi, që ofron konsulencë dhe asistencë të vazhdueshme. Më tej, ajo shton: "Familjet po ndryshojnë, edhe pse dëshira jonë është të kemi familje të bashkuara, të cilat të jetojnë së bashku dhe të ndajnë problemet mes tyre". Meqenëse martesa ka qenë shumë e rëndësishme në Indi, gratë asnjëherë nuk kanë qenë të barabarta me burrat. Historikisht, paratë janë paguar nga familja e nuses tek ajo e dhëndrit për marrëveshjet martesore, sot e kthyer në një betejë të vërtetë për familjet e varfra. Kjo është edhe arsyeja që aborti i fetusit femër është bërë diçka e zakonshme. Edhe pse pagesa që nusja çon te dhëndri u ndalua në vitin 1961 dhe ekot për të parë seksin e fëmijës në vitin 1996, asnjë prej tyre nuk zbatohet.

Në të njëjtën kohë, në vende të ndryshme të Indisë ka një diferencë të madhe mes gjinive, si rezultat i preferencave për djem në vend të vajzave. Në vitin 1981, një raport për fëmijët nga zero në gjashtë vjeç tregoi se ishin 962 vajza për 1000 djem, ndërsa 20 vjet më vonë raporti tregoi se numri kishte arritur në 927 vajza për 1000 djem. Kështu, ndërkohë që veprimi ilegal, por fitimprurës i abortit, bazuar në gjininë e fetusit ngelet shumë i zakonshëm, efektet e këtyre veprimeve po i shtyjnë burrat në disa vende të pasura të Indisë për t‘i marrë gratë nga shtetet e varfra. Edhe për gratë e shtresës së mesme indiane, në dy dekadat e fundit janë vënë re ndryshime për sa u përket mundësive të lidhura me to. Ndërkohë që martesat me shkuesi përbëjnë akoma më shumë se 90 për qind të zgjedhjes së të rinjve, shpërndarja e televizioneve kabllore dhe influenca perëndimore ka bërë që gratë të kenë më shumë pretendime për burrat e tyre dhe atyre që do të zgjedhin për të kaluar jetën. Ndryshe nga ato, burrat indianë kanë qenë shumë të ngadaltë në ndryshime dhe shpesh kanë reaguar negativisht ndaj mundësive të reja që po u jepen grave. "Gratë e kanë nisur jetën me pak pretendime, ndërsa tani ato janë më të angazhuara fizikisht, seksualisht dhe financiarisht", tregon drejtoresha e qendrës për kërkimet sociale dhe mbështetjen ndaj femrave me qendër në Dehli.

Të gjithë kanë pritur që rritja e numrit të divorceve të ishte një fenomen i lidhur me elitën e shkolluar të Delhit apo Mumbait, kjo gjë duket se po ndodh në të gjithë Indinë, edhe pse ngelet më i përhapur në zonat urbane të vendit. Vivek Pahwa, drejtoresha e "secondshaadi.com", një faqe interneti për të organizuar takime mes burrave dhe grave të divorcuar, që u hap vetëm një vit më parë, tregon se 60 për qind e 25000 ose më shumë njerëzve që janë regjistruar aty nuk jeton në pesë qytetet më të mëdha të Indisë. "Të martohesh përsëri në Indi ka qenë një argument që më mirë mos të preket", shkruhet në uebsajtin e tij. "Me kalimin e viteve shoqëria po i shikon me sy ndryshe burrat dhe gratë e divorcuara në Indi. "Secondshaadi.com" është ndihma e duhur për të gjithë ata që duan të nisin një jetë të re". Edhe pse numri i divorceve po rritet, disa ekspertë paralajmërojnë se të heqësh dorë nga lidhjet pa lumturi ngelet një sfidë dhe për momentin është e prekshme vetëm për gratë e pasura indiane. "Martesa është akoma qendra e gjithçkaje. Gratë si pjesëtare të shoqërisë shikohen nga statusi i tyre. Nëse një grua është vetëm, është shumë e vështirë, edhe nëse ajo vjen nga një familje e pasur.

Të prishësh një martesë nuk do të thotë se ke zgjidhur të gjitha problemet", shton një pedagoge në Kerala. Anajana Debi e di fare mirë se sa telashe dhe probleme e presin, por ajo ka vendosur përfundimisht të ndahet. Me origjinë nga Kalkuta, që kur është martuar ka jetuar në Delhi. Por kur bashkëshorti e braktisi për të shtatën herë, edhe pse nënë e katër fëmijëve, ajo vendosi të ndahej. "Është njëlloj si kanceri. E kam vendosur dhe nuk dua të kthehem më me të. Nuk mundem më", tha ajo. Sot zonja Debi është 37 vjeçe, por ishte vetëm 14 kur familja e saj e martoi me shkuesi me një burrë 20 vjet më të madh se vetja. Ajo tregon se në vitet e para të martesës ka qenë shumë e lumtur, më vonë bashkëshorti nisi të kishte një lidhje me një tjetër grua. Sa herë që ai kthehej i dukej sikur nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta falte. Por kësaj radhe jo. Ajo thotë se është gati ta kalojë pjesën tjetër të jetës si e divorcuar dhe të përballet edhe me sfidat që kjo gjë do t‘i sjellë. Megjithatë, ajo nuk ndihet gati t‘u tregojë prindërve atë se çka ndodhur. "Vëllezërit e mi e dinë, ndërsa prindërit jo. Kam frikë nga mënyra se si do të reagojnë, kam frikë mos pësojnë ndonjë traumë".

Një celular i komandueshëm nëpërmjet zërit!

Në ditët tona celularo mania po kthehet në nevojën e krijimit të mini kompjuterëve me më shumë fuqi, me ekran më të gjerë me një lidhje sa më të shpejta. Megjithatë jo gjithçka do të mund të ndryshojë brenda natës. Së shpejti në tregun elektronik të telefonisë celulare do të lançohet një lloj i ri celulari i cili do të ndryshojë tërësisht mënyrën se si deri më sot kemi folur dhe përdorur një telefon celular.

Kështu në muajt e ardhshëm çdo përdorues i një telefoni të tillë do të ketë mundësinë të diktojë komandat ose edhe mesazhet e shkruara vetëm duke folur e jo më duke klikuar tastierën e ngatërruar të telefonit.

Në të njëjtën kohë çdo përdorues i një telefoni të tillë mund të filmojë klipe të shkurtra filmike dhe ti dërgojë ato menjëherë tek miqtë e tij.

Në ditët tona celularo mania po kthehet në nevojën e krijimit të mini kompjuterëve me më shumë fuqi, me ekran më të gjerë me një lidhje sa më të shpejta.
Megjithatë jo gjithëshka do të mund të ndryshojë brenda natës.

Jo të gjitha këto aplikime të reja mund të vijnë në celularin tuaj nqs celulari që klienti disponon nuk ka program të veçantë GSP ose një video kamera
të integruar.

Kompania Nuance Communication është duke zhvilluar një teknologji identifikuese të zërit për të bërë sa më të lehtë për të dërguar një mesazh ose për të lundruar në Web. Tani për tani përdoruesit mund tu bëhet e mundur që me anë të zërit të kërkojnë një muzikë të veçantë ta blejnë atë dhe ta dëgjojnë më pas.

Steve Chambers, president i Nuance në divizionin e konsumatorëve thotë se teknologjia po ndryshon dita ditës dhe ai që tani ka parë një prototip të një telefoni pa butona i cili të gjitha komandat i bën me anë të zërit.

Me "NATO"-n pertej demokracise?

Duke qenë se Berisha ka qenë vazhdimisht në kokë të politikës në këta 18 vjet nuk mund të mos pyesësh: Çfarë ka ndodhur befas në kokën e politikës, pra edhe në kokën e Berishës, duke e shndërruar atë brenda katër muajsh dhe si me magji, nga të papërgjegjshme në të përgjegjshme? Përgjigjja e Kryeministrit është e hatashme: Ka ndodhur vetëdijësimi nga marrja e ftesës për në NATO! "Dy vjet më parë masnim me lupë çdo germë....Por ndodhi diçka shumë e thellë, shumë e madhe e cila u bë një imperativ për një ndryshim madhor, rrënjësor të kulturës politike të këtij vendi", tha Berisha. Gati sa nuk deklaron që paska qenë faji i NATO-s që nuk e ka lëshuar këtë ftesë 18 vite më parë, duke i shpëtuar shqiptarët nga një tranzicion traumatik plot viktima, privacione e varfëri. Deri para pak ditësh, propaganda berishiste këmbëngulte se marrja e ftesës për në NATO do të qe fryt i emancipimit dhe arritjeve të politikës ndërsa sot, Berisha ju tregon shqiptarëve krejt të kundërtën, që emancipimi i politikës është fryt i marrjes së ftesës.

***
Po përse shfaqet Berisha kaq i kënaqur me politikën shqiptare, pra në një farë mënyre edhe me vetveten si një nga simbolet e kësaj politike? Sepse më në fund kjo politikë, ose më saktë shumica e saj e bashkuar PS-PD i dhanë Berishës atë që ai ka kërkuar përherë, edhe më shumë pushtet të pakontrollueshëm, "për të shmangur krizat" që pjell...demokracia? Prandaj autoritaristi i pandreqshëm Berisha ngazëllente dhe lëshonte ditirambe si këto: "Procesi është nga më të përgjegjëshmit se merret në mënyrë të vetvetishme dhe ka nisur 4-5 muaj që kur në horizont u dukën qartë rrezet e marrjes së ftesës". Më tej: "Asnjë nga ne nuk mund të harrojë proceset e mundimshme në të cilat kaloi Shqipëria gjatë viteve.

Nuk mund të harroj faktin që kalohej nga kriza në krizë, nga ndjellkriza në ndjellkrizë". Nuk mund të mos pyesësh: Po a nuk ishte ky kryeautor dhe kryebashkautor i krizave dhe ndjellakrizave? A nuk qenë kërcënimet drejtuar kundërshtarëve politikë të llojit "Do ua ngrijmë buzëqeshjen!" shprehja më e qartë e ndjellakrizave? Berisha dinakërisht flet dhe nënkupton një faj të gjithë klasës politike, sikur të mos ishte ai një nga kryefajtorët për këto "procese të mundimshme". Kjo është provë se pasi ka mbjellë dhe ndjellë kriza për 18 vjet, Berisha po korr sot frytet e tyre në emër të "stabilitetit" dhe "normalitetit". Kjo është edhe një provë se Berisha vazhdon të mbetet i papërgjegjshëm për vuajtjet që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve kulti i tij e pangopur me pushtet, si dhe rrjeti i klaneve që pasurohen nga pushtetet e këtij kulti.

***
Çfarë po bëjmë ne tani? - i shpjegoi Berisha Parlamentit duke dëshmuar se mendonte që deputetët nuk ishin të qartë dhe të përgjegjshëm për atë që po bënin. "Po përpiqemi që ta ketë më të lehtë rrugën ky vend, po përpiqemi të parandalojmë krizat dhe ky vend të jetë një vend normal siç e meriton". Kjo është gjuha tipike e autoritaristëve dhe diktatorëve. Të gjithë diktatorët para se të kapin pushtetin absolut, kanë fajësuar pluralizmin dhe demokracinë për zinxhirin e krizave që kalonte një shtet. Në Itali dhe Gjermani para Luftës II Botërore, liderët fashistë dhe nazistë, kanë shprehur përbuzje për parlamentarizmin liberal dhe kanë bërë thirrje për ta "transhenduar përçarjen e vjetruar në të majtë dhe të djathtë me qëllim bashkimin e vendit". Të gjithë e kanë propaganduar largimin nga jeta demokratike dhe plot kriza, si kthim të vendit në normalitetin e qetë dhe pa debate. Kjo propagandë populisto-nacionaliste, ka qenë maskimi i dëshirës për kontroll total. Dhe një nga mjetet që kanë përdorur fashizmi për ta arritur një gjë të tillë, ka qenë pikërisht rishpërndarja e pushtetit politik duke zgjeruar kompetencat e ekzekutivit.

Amendamentet e miratuara dy ditë më parë kanë bërë pikërisht këtë, kanë fuqizuar ekzekutivin dhe kreun e tij, Berisha. Edhe diktatori komunist, Enver Hoxha, e quante jo normale "të bëhen diskutime për diskutime, klithma e çjerrje në Kuvend për të manifestuar demokracinë së në parlamentet borgjeze". Me ndryshimet në Kushtetutë, Shqipëria ka bërë një hap drejt këtij lloj "normaliteti" autoritarist, duke ju larguar "parlamentarizmit të zhurmshëm borgjez". Tashmë, sikundër thotë Berisha, asnjë shumicë nuk do "të shohë me lupë fjalët" dhe protestat e opozitave. Dhe në fakt, nuk do ketë arsye për një gjë të tillë. Sepse këtej e tutje, nuk do të jetë e detyruar më nga Kushtetuta të arrijë konsensus me opozitën deri edhe për çështje të rëndësishme si ajo e zgjedhjes së Presidentit. Madje dhe opozita vetë, nuk do të jetë e nxitur të tjerrë shumë llafe kundra, sepse e di që në fund të fundit, shumica mund ta zgjedhë Presidentin vetëm me votat e saj. Dhe kështu eliminohen "krizat" parlamentare. Por mos vallë bashkë me to edhe demokracia? Që këtej e tutje nis një "epokë e re" në politikën shqiptare (edhe Enver Hoxha, në fjalimin e tij të parë në Tiranën e çliruar nga nazistët, shpalli "hapjen e një faqeje të re në historinë e Shqipërisë") ku argumentet e pakicës nuk do të kenë më rëndësi, kur ajo mund të lehë sa të dojë, por karvani i pushtetit mund të ecë përpara duke shmangur krizat "e panevojshme".


***
E gjithë ajo që ndodhi dy ditë më parë në Kuvend, ishte një farsë autoritariste dhe tiranike e shumicës së bashkuar PD-PS që nuk do të kalojë pa pasoja. Sipas asaj që u tha dhe u votua, fajin për zinxhirin e krizave në Shqipëri gjatë 18 vjetëve, nuk e kanë pasur etja e shfrenuar për pushtet dhe pasuri e liderëve të tipit Berisha, Nano dhe i klaneve të tyre, nuk e ka pasur skllavërimi i pushtetit të drejtësisë dhe i shumë pushteteve dhe institucioneve të tjera prej ekzekutivit, fajin nuk e kanë pasur ca aktorë të vjetër politikë si Berisha që të verbuar nga etja për sa më shumë pushtet absolut, nuk kishin asnjë vullnet për konsensus, por e ka pasur...Kushtetuta! E ka pasur dokumenti themeltar që nuk e lejonte deri sot Kryeministrin të bënte si të donte, të vetëshkruante dhe vetëvuloste me shumicën e tij. Fajin e ka pasur Kushtetuta që detyronte konsensusin me opozitën, por që tani, pas mendimeve, nuk e detyron më. Tashmë, me amendimet e bëra, Kushtetuta nuk është më e keqe. Sepse nuk e pengon më Berishën të sundojë. "Mrekullitë" që lëshoi Berisha në apologji të këtij kërcimi të vendit drejt autoritarizmit, nuk kanë fund. Po sipas tij, deri pardje fajin e ka pasur sistemi zgjedhor në vetvete dhe jo mungesa e infrastrukturës zgjedhore, certifikatat false, listat e gjymta të zgjedhësve, militarizimi i komisioneve me banditë partiakë zonalë, KQZ e politizuar apo gjykatat e trembura dhe manipuluara. Sipas Berishës (por tani edhe Ramës), me sistemin spanjoll do të ndodhë mrekullia.

Po cili paska qenë faji i "politikës së vjetër" që Rama përflet pa fund nëpër mitingje? Me sa duket që nuk paska zbatuar me kohë "mrekullinë" spanjolle. Por pas kësaj, me miratimin e sistemit spanjoll, politika e vjetër u bë automatikisht e re. Sa e thjeshtë paska qenë! Por edhe kjo agoni e kotë 18-vjeçare ka shpjegimin e vet. E shpjegoi Berisha sipas të cilit, politika shqiptare paska qenë e pavetëdijshme. Duke pranuar fajin që ka ngjyer, bashkë me të tjerët kafshatën e pushtetit te "Dushku", Berisha tha se "mjaft është mjaft". Pyesim përse? Dhe Berisha përgjigjet. "Sepse vjen vetëdija njerëzore dhe politike" duke na dhënë të kuptojmë se deri më sot, nuk para ka qenë i vetëdijshëm. Përsëri pse? Sepse Shqipëria nuk e kishte marrë ende ftesën për në NATO! Marrëzira! Por le të pranojmë për një çast, se ky "ndryshim" i dytë i Berishës vjen nga magjia e ftesës (në fakt të kujton emulacionin socialist) dhe të shpresojmë se ai do të vetëdijësohet po kaq shpejt edhe për nevojën (18 vjet lider në demokraci janë më shumë se mjaft) e largimit të tij nga politika. Por nuk ka shanse që kjo të ndodhë. Berisha po e përdor ftesën e NATO-s si një pretekst për të forcuar pushtetin e tij politik. Por ai nuk do të bëhet kurrë i vetëdijshëm për ato standarde që shkojnë kundër etjes së tij për pushtet dhe që i imponon e njëjta ftesë. Një standard i tillë është rotacioni i liderëve dhe i pushteteve. Sipas standardeve të NATO-s, vendi duhet ta ketë shndërruar në traditë rotacionin e plotë politik dhe paqësor të pushteteve.

***
Në Shqipëri, deri më sot, vetëm PS e ka lëshuar paqësisht pushtetin. PD dhe Berisha nuk kanë arritur ta provojnë këtë. Në fuqi mbetet thënia proverbiale e Namik Vehbi Fadile Hotit se Berisha, nuk zbret kollaj "nga kali". A do ta bënte Berisha një "sakrificë" të tillë në 2009-ën, i vetëdijësuar për nevojën e plotësimit të këtij standardi nga Atdheu? Në përgjigje Berisha fshihet pas "demokracisë" pra, të atij sistemi pa parti demokratike, pa drejtësi dhe institucione të pavarura, pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe që deri më sot, e ka shndërruar në skllav të bindur: Janë shqiptarët ata që do ta vendosin - deklaroi ai në një intervistë të para pak ditëve në BBC. Po përse shumica e shqiptarëve do të jenë të prirur të votojnë përsëri pas 20 vjetësh (dhe kjo nuk ndodh në vendet e NATO-s), një lider që pranon se nuk ka qenë shumë i vetëdijshëm politikisht për 18 vjet rresht? Përse do të votonin një politikan që edhe pas 18 vjet në krye të politikës pohon se është i gatshëm të qëndrojë edhe 30 vjet nëse votohet? Përse do të votonin një ish-presidenti dhe sot Kryeministër, që bart në biografinë e qeverisjeve të tij autoritariste katastrofa të tmerrshme si ato të piramidave dhe Gërdecit? Një votë e tillë nuk do të gjente kurrë shpjegim me demokracinë.

Para së gjithash, në një shtet demokratik normal, një ish-president të cilit ju shkërmoq shteti për faj të vet nuk do të mund të rikthehej kurrë në pushtet. As një Kryeministër me Gërdec. Me të do të kish mbaruar punë drejtësia e pavarur. Nuk mund të kthehej në pushtet as një lider që ka ideuar një grusht shteti. Përveç Sali Berishës, bota njeh vetëm një rast tjetër të ngjitjes në pushtet me votë, të një politikani që ka udhëhequr një grusht shteti. Rastin e Adolf Hitlerit. Por kjo shënoi edhe pushkatimin e demokracisë në Gjermaninë e asaj kohe. Prandaj një votë e tretë për Berishën në vitin 2009, nuk do të qe aspak vepër e demokracisë. Ajo do të ishte produkt i fanatizmit, manipulimit të zgjedhjeve, tulatjes së institucioneve të kapura dhe frikësimit të shumicës së qytetarëve, nga një ekzekutiv autoritarist që ndërsa i dënon me varfëri, i kërcënon me papunësi dhe me bukën e gojës. Dhe pas ndryshimeve në Kushtetutë, pushteti i Berishës i ka mundësitë të jetë edhe më autoritarist se më parë dhe të sjellë atë që po për faj të politikanëve si Berisha, nuk na e solli dot demokracia, "stabilitetin". Kjo është ajo që Berisha quan kthim të Shqipërisë në "normalitet" që na tingëllon si ikje përtej...demokracisë. Dhe meqë shqiptarët dhe politika e tyre shfaqen shumë të lodhur me "demokracinë", le të shpresojmë se është NATO që po na ruan dhe se nuk do të vonojë të thërrasë: "Ndal"!

Hostuesit Amerikane!

Renditja
Kompania Hostuese
Kuota e tregut
Numri i domeneve
1
20.6468 %
10,005,396
2
5.5383 %
2,683,847
3
4.6492 %
2,252,967
4
4.578 %
2,218,508
5
3.4848 %
1,688,744
6
3.4388 %
1,666,443
7
3.1216 %
1,512,720
8
1.6103 %
780,334
9
1.4951 %
724,531
10
1.1875 %
575,460
11
1.0511 %
509,371
12
1.0277 %
498,029
13
1.0206 %
494,570
14
0.8662 %
419,778
15
0.8397 %
406,901
16
0.7289 %
353,229
17
0.6441 %
312,126
18
0.6345 %
307,454
19
0.5789 %
280,530
20
0.5257 %
254,769
21
0.5159 %
249,997
22
0.5065 %
245,468
23
0.5026 %
243,562
24
0.4726 %
229,017
25
0.4658 %
225,734


Ja dhe Grafiku